AlbanianSport.com 08/02/2019 12:00
ASNN – Policia angleze njoftoi mbrëmë vonë se trupi i gjetur në avionin e rrëzuar më 20 janar në kanalin e La Manshit i përket futbollistit Emiliano Sala. Në bordin e avionit kanë qenë vetëm dy vetë, piloti dhe futbollisti. Për momentin është gjetur vetëm një trup, ai që i përket futbollistit, tashmë i vdekur. Ndërsa trupi i pilotit Dejvid Ibotson nuk është gjendur ende dhe pavarësisht se kërkimet vijojnë, koha e keqe dhe deti i trazuar nuk e lehtësojnë gjetjen e viktimës tjetër.
Ka qenë policia e Dorsetit në Angli që ka bërë ekspertizën e kufomës së gjetur dhe nga raporti mjeko-ligjor konfirmohet se trupi i përket Emiliano Salës. Ai u gjend në rrënojat e avionit të rrëzuar e përfunduar në tabanin detar në kanalin e La Manshit, në thellësinë 67 metra. E ndërsa kërkimet vijojnë për gjetjen e trupit të Ibotson vijojnë, duhet thënë se kjo ishte një tragjedi për familjarët e futbollistit dhe të pilotit.
U deshën mbi dy javë nga aksidenti që të paktën familjarët e futbollistit argjentinas të merrnin trupin. Tifozët e Nantës janë në zi dhe klubi ka thënë se do të respektojë kujtimin e tij me disa veprimtari, ndërsa ballafaqimi ligjor midis Nantës dhe Kardif Sitit për transferimin e tij në Premier Ligën Angleze për 15 milionë stërlina pritet të shoqërohet me seanca të zgjatura në rrugët e gjykatës.