AlbanianSport.com 25.02.2015 17:55
ASNN – Derbi i 141-të i kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që ishte planifikuar të luhej të premten, duke nisur nga 19:00, është shtyrë për më 12 mars 2015. Kjo është është bërë zyrtare të mërkurën pasdite, nëpërmjet një njoftimi zyrtar të klubit bardheblu, që është edhe skuadra pritëse e kësaj sfide.
Orë më parë ishte njoftuar se specialistët grekë të ngarkuar nga drejtoria e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, nuk e kanë hapur dritën jeshile për përdorimin e tapetit të ri, që përfundoi së shtruari në 10-ditëshin e 3-të të janarit.
Në deklaratën e saj, Tirana ka theksuar se “ka kërkuar që ndeshja të luhet në datën 12 mars 2015, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe kjo kërkesë është pranuar. “Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë miratimin e nevojshëm dhe, më pas, edhe drejtuesit e Partizanit e kanë pranuar këtë propozim për ta bërë zyrtare axhendën e re te derbit”, shkruan më tej klubi bardheblu në deklaratën e tij.
“Derbi i kryeqytetit do të luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, me praninë e tifozëve dhe me entuziazmin e duhur, që i shkon për shtat ndeshjes më të madhe në futbollin shqiptar”, – përfundon deklarata e Klubit të Futbollit “Tirana”. Orari i derbit të 12 marsit mbetet për t’u përcaktuar.