Gjergj Vyshka 20.01.2016 13:25
Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, që përgjigjet për fushën e sportit dje ka bërë një vizitë në zyrat e klubit shumësportësh Studenti. Ai është pritur nga shefi i këtij klubi, Blendi Nallbani, ndërsa të dy së bashku kanë diskutuar për projektet e reja në lidhje me Studentin, si dhe për programet sportive.
Studenti është, në fakt, ndër të vetmit klube të kryeqytetit që ka të zhvilluara lojërat me dorë, basketboll e volejboll. Por gjithashtu ka edhe qitjen, mundjen, karatenë, ndërsa është klub që gradualisht po kërkon të kompletohet në të gjitha nivelet e disiplinat sportive.
Ndaj parë kështu, edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka në qendër të vëmendjes, sepse Studenti mbi të gjitha është pararojë e zhvillimit të sportit universitar. Aq më tepër që tashmë është në projekt zhvillimi i sportit në shkolla në të gjitha nivelet. Ndaj dhe Dimraj dje ka qenë në klubin shumësportësh “Studenti”.