AlbanianSport.com 19.05.2016 14:35
ASNN – Zvicra shpall skuadrën provizore për në Euro 2016 dhe, në listë janë gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare. Ishin të pritshëm disa nga emrat si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Valon Behrami apo Admir Mehmedi, ndërsa risi është mesfushori 20-vjeçar, Shani Tarashaj. I vetmi nga shqiptarët e Zvicrës që mundon është Pajtim Kasami.
Trajneri Vladimir Petkoviç shpalli listën me 28 futbollistë që do të zvogëlohet në 23, aq sa janë të lejueshëm nga UEFA për në Kampionatin Evropian. Zviceranët janë në grup me Shqipërinë dhe ndeshja mes dy ekipeve do të luhet në 11 qershor 2016. Kështu, plot 6 futbollistë shqiptarë janë përfshirë në listën provizore të kombëtares zvicerane për “Francë 2016”.
Një përzgjedhje mjaft e fortë si grup lojtarësh, nga i cili do të dalë edhe lista finale për turneun e kësaj vere. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe surpriza më e madhe, Shani Tarashaj, janë mes emrave të preferuar, me këtë të fundit që u përfol edhe për të luajtur me Kombëtaren kuqezi, pasi pëlqehej mjaft nga trajneri Xhovani De Biazi.
Në një konferencë për shtyp, trajneri Vladimir Petkoviç nënvizoi gjithashtu lënien jashtë të mesfushorit veteran të Leister Sitit, Gokhan Inler, një personalitet i madh sipas ti, por që nuk do të përfshihet në “Euro 2016”. Lista prej 28 futbollistësh do të reduktohet në 23 në bazë të rregullave të UEFA-s. Kombëtarja helvete do të zhvillojë miqësore me Belgjikën dhe Moldavinë në shtëpi, para se të niset në Evropian.
Mes emrave të preferuar të trajnerit Vladimir Petkovi\, ka edhe një përjashtim që bie në sy për shqiptarët. Mesfushori nga Struga, Pajtim Kasami që aktivizohet me Olimpiakos në Greqi, nuk ka arritur të bindë me cilësitë e tij dhe do ta shohë turneun nga ekrani i vogël.