AlbanianSport.com 16.06.2015 10:05
ASNN – E ardhmja e Zhoze Murinjos do të jetë te Çellsi të paktën edhe për disa vite. Trajneri portugez shumë shpejtë do të firmosë një kontratë të re që do ta lidhë me “blutë” e Londrës deri në 30 qershor të vitit 2019.
Sipas asaj që raporton “Daily Mail”, nga marrëveshja e re, i mbiquajturi “Special One” (I Veçanti) pritet të përfitojë 30 milionë stërlina për 4 vjet (rreth 41 milionë Euro). Portugezi 52-vjeçar po kalon momente fantastike te Çellsi.
Në sezonin që sapo u mbyll, ai fitoi dy trofe me klubin londinez dhe presidenti i bluve kryeqytetas, rusi Roman Abramoviç, dëshiron ta mbajë sa më gjatë Murinjon në “Stemford Bridxh”.
Firma mbi kontratën e re e ish trajnerit të Realit të Madridit me kampionët e Anglisë është vetëm çështje kohe, dhe në këtë mënyrë të gjitha klubeve të interesuara për të marrë shërbimet e Murinjos nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shikojnë për alternativa të tjera.