AlbanianSport.com 30/03/2020 20:45
ASNN – Zhozé Murinjo ka ndërshtuar 11-shen e ëndrrave të karrierës së tij. Në të përditshmen “Manchester Evening News”, trajneri portugez ka arritur të kompozojë një ekip me lojtarët më të mirë që ka patur si trajner. Siç dihet, ai ka drejtuar nëpër klube të tilla të njohura dhe të nivelit të lartë si Porto, Interi, Reali i Madridit, Çellsi, Mançester Junajtid dhe Totenhem.
“Shtylla kurrizore” e 11-shes bazohet në kohën e tij në “Stemford Bridxh”, nga ku ka zgjedhur 8 nga gjithë formacioni i lojtarëve. Nga ana tjetër, është për t’u habitur që asnjë nga lojtarët e tij nga “Olld Traford”, ku drejtoi “Djajtë e Kuq”, nuk është në listë. Nga Real i Madridit ka zgjedhur vetëm dy: Ëzillin dhe Kristiano Ronaldon, duke harruar shumë futbollistë të shquar si Serxhio Ramos, Marselo, Ksabi Alonso ose Iker Kasijas.
Nga skuadra e tij e lavdishme e Interit, ai zgjedh vetëm një, veteranin argjentinas, Havier Zanetin. Ai nuk ka përfshirë asnjë futbollist nga Totenhemi, klubi i tij aktual. As nga Porto, nuk ka asnjë lojtar në 11-shen e tij, ndonëse ishte ky klubi ku ai gdhendi praktikisht një të ardhme premtuese për veten e tij si trajner, pasi fitoi Ligën e Kampionëve në 2004-ën.
Lojtarë të tillë si Zllatan Ibrahimoviç, Uesli Snajder, Pol Pogba, Samuel Eto’o ose Herri Kejn kanë mbetur jashtë skuadrës së ëndrrave të përcaktuar nga Murinjo. Dhe 11-shja e futbollistëve më të mirë të trajnuar nga trajneri portugez është: Petr Çeh; Havier Zaneti, Xhon Terri, Rikardo Karvajo, Uilliam Galas; Klod Makelele, Frenk Lampard, Mesut Ëzill, Eden Hazard; Didier Drogba dhe Kristiano Ronaldo.