AlbanianSport.com 06/12/2018 18:25
ASNN – Të gjitha deklaratat e këtyre pesë vjetëve të fundit në lidhje me Mikael Shumakerin janë të rrethuara nga hijet e misterit dhe dyshimeve të të vërtetave që thuhen për të. I dëmtuar në një garë skish në Francë në vitin 2013, Shumakeri nuk ka dalë më në publik dhe rreth gjendjes së tij shëndetësore dihet shumë pak, për të mos thënë asgjë.
Pak ditë më parë ishte një prift që theu heshtjen, duke thënë se kishte folur me ish-kampionin e botës, ndërsa së fundmi opinioni në Formula 1 është tronditur nga ish-drejtuesi i “Ferrarit”, Zhan Todt, i cili tha se kishte parë garën e fundit të këtij edicioni në Brazil nga televizori nën shoqërinë e Mikael Shumakerit. Kjo deklaratë “bombë”, lë të nënkuptuar se Shumaker mund të jetë i vetëdijshëm dhe pse jo mund të ketë “nuhatjen” e garave të Formula 1.
“Jam gjithmonë shumë i kujdesshëm kur them diçka, – tha Zhan Todti, – por është e vërtetë që Çmimin e Madh të Brazilit e kam ndjekur bashkë me Mikaelin në Zvicër.” Sidoqoftë, ish-drejtuesi i shquar i “Ferrarit”, mik i ngushtë i familjes Shumaker, në respekt të privatësisë së kërkuar nga vetë familjarët e 7 herë kampionit të botës në Formula 1, nuk dha asnjë informacion më shumë për gjendjen e tij.