AlbanianSport.com 01.02.2016 15:25
ASNN – “Telenovela” shumëmujore se cili do të jetë destinacion i ardhshëm i trajnerit më të paguar në botë, tashmë është zgjidhur, pasi është bërë zyrtare që Pep Guardiola do të jetë trajneri i ardhshëm i Mançester Sitit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp klubi anglez ka njoftuar se Guardiola do të jetë trajneri i skuadrës duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Aktualisht trajneri i Bajernit të Mynihut, katalani kishte disa javë që e kishte konfirmuar largimin nga bavarezët dhe do të firmosë me klubin anglez për 3 sezone. “Mançester Siti konfirmon se në javët e fundit ka nisur dhe finalizuar negociatat me Pep Guardiolën, i cili do të jetë trajneri i ekipit të parë nga sezoni 2016-2017”, – thuhet në njoftim.
“Këto negociata kanë qenë një vazhdim i atyre të ndërprera në vitin 2012”, – shton njoftimi zyrtar i klubit të “Qytetarëve”. Në këtë mënyrë, konfirmohet se trajneri aktual i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini, do të largohet nga drejtimi i skuadrës pas 3 sezonesh në të cilat fitoi një kampionat dhe një Kupë Lige.
Këto dy trofe u fituan në sezonin e tij të parë. Sidoqoftë, këtë sezon, Mançester Siti është ende në luftë për të gjitha veprimtaritë ku merr pjesë, pasi në Kupën e Ligës do të diskutojë finalen ndaj Liverpulit, në Ligën e Kampioneve do të luajë në turin e 16-shes ndaj Dinamos së Kievit, si dhe është në vendin e dytë të kampionatit, 3 pikë pas Leister Sitit.