AlbanianSport.com 04/01/2021 18:40
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, Ballkani ka prezantuar të hënën trajnerin nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi, prezantim të cilin klubi nga Suhareka e ka quajtur shumë të rëndësishëm. Në fakt, trajneri korçar ka ardhur te skuadra nga Suhareka vetë i treti. Në njoftimin e Ballkanit është theksuar se ndihmës të Shkëmbit do të jenë italiani Frankesko Vitobelo dhe përgatitësi atletik, Alban Shala.
Me italianin, Shkëmbi ka bashkëpunuar kur ishte trajner i Teutës, ndërkohë që Shala ishte në rolin e përgatitësit atletik te Laçi, deri para emërimit të Shpëtim Duros si trajner. “Në takimin e sotëm është bërë njoftimi formal ndërmjet stafit të ri dhe futbollistëve, si dhe është shpalosur dinamika e ardhshme për sa i përket fazës përgatitore”, – thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Pas prezantimit, Shkëmbi i ka nisur menjëherë përgatitjet për pjesën pranverore të sezonit. Bledi Shkëmbi do të zëvendësojë në këtë detyrë të shkarkuarin, Ismet Munishi. Ky i fundi e la Ballkanin në garë për titull, pasi suharekasit renditen në vendin e dytë në Superligën e Kosovës, me 38 pikë, vetëm 3 më pak se Drita e Gjilanit, që është e para.