AlbanianSport.com 27/09/2019 17:50
ASNN – Zeina Nasar: Dua të kualifikohem për në Lojërat Olimpike. Zeina Nasar, është boksiere në Berlin, e cila ka fituar mjaft tituj. Por ajo që e bën atë më të veçantë është se ajo del në ring me shami në kokë. E kjo është beteja e saj më e madhe, për të mposhtur paragjykimin. Për t’i bindur të tjerët që edhe e mbuluar me shami, ajo është e barabartë me të tjerët në ring. Ajo stërvitet çdo ditë, me përkushtim dhe dëshirë.
Goditjet e saj janë të forta, e gjatë seancave stërvitore ajo kryen të gjitha ushtrimet që bëjnë edhe boksieret e tjera të pambuluara me shami. 21-vjeçarja tregon se e ka patur shumë të vështirë në fillim për të boksuar pasi nuk e pranonin për shkak të shamisë që mbante. “Kur kam dashur për herë të parë të marr pjesë në një konkurs në boks në 2013, nuk më lejohej të boksoja me shami, për shkak të rregullave”, – ka kujtuar ajo.
“Unë këtë nuk e dija, isha trajnuar për një kohë të gjatë për të garuar e pas kësaj mësova se nuk mund të boksoja me shami. Së bashku me trajneren time shkuam në Federatën Gjermane të Boksit, ku pas diskutimesh të gjata u ndryshuan rregullorja. Dhe që nga ai vit të gjitha femrat në Gjermani mund të boksojnë edhe me shami.”
Zeina Nasar tregon edhe për synimet e saj. “Qëllimi im kryesor janë Lojërat Olimpike e unë kam mundësi të kualifikohem, sepse kushtet tani janë të njëjta për të gjithë, – thotë ajo. – Llogaritet vetëm paraqitja sportive. Nuk ka rëndësi pamja ime e jashtme, nuk ka rëndësi se nga vij, si dukem, çfarë gjuhe flas, sepse në fund të fundit, sporti ka të bëjë me paraqitjen në ring.”
“Kam vënë re se shumë femra të tjera, që mbajnë shami kanë filluar të boksojnë, ose merren me ndonjë sport tjetër, – thotë sportistja 21-vjeçare. – Kjo më bën shumë krenare të shoh që unë kam mundur t’i motivoj ato përmes historisë tim.”