AlbanianSport.com 19.11.2014 21:15
ASNN – Gjysmë fëmijë e gjysmë hero, maskoti i Evropianit të Futbollit në 2016-n, ka bërë debutimin e tij, por mbetet ende në kërkim të një emri. Materiali i mëposhtëm na sjell pa koment videoklipin prezantues të këtij maskoti, ndërsa deri për emrin e tij është hapur një konkurs në Internet, ku sportdashësve u kërkohet të zgjedhin midis 3 emrave të propozuar: Driblu, Goliks dhe Super-Viktor.
Organizuesit e Euro 2016, UEFA dhe Federata franceze e futbollit shfaqën mbrëmë për herë të parë maskotin zyrtar të kampionatit Evropian të Futbollit që do të zhvillohet në Francë pas dy vitesh. Në foton e publikuar vihet re një djalosh i buzëqeshur, me quka, i veshur me pelerinë të kuqe me stemën e UEFA-s dhe fanellën franceze me numër 16 (viti kur do të zhvillohet Evropiani).
Djaloshi me tuta të bardha duket i lumtur teksa kërkon të shkelmojë topin. Sfera është e pikturuar me stemën e EURO 2016 dhe ngjyrat e flamurit francez. Kjo maskot të krijon idenë e një heroi i cili nën pelerinën e UEFA-s dhe ngjyrave franceze kërkon të josh sportdashësit, duke i hedhur edhe sfidën e pjesëmarrjes në këtë eveniment madhështor të futbollit.
Kjo është maskoti i dytë francez pas Peno, gjelit i cili përfaqësoi kampionatin e 1984-ës. Maskoti i ri do të jetë pa emër deri në 30 nëntor, pavarësisht debutimit të parë në ndeshjen e djeshme miqësore, Francë-Suedi në “Stadë Velodrom” në Marsejë e përfunduar me rezultatin 1-0 për vendasit falë golit të Varanes. Emri do të vendoset në sajë të një konkursi publik që do qëndrojë i hapur deri më 26 nëntor dhe do të shpallet në fund të muajit.