AlbanianSport.com 09/11/2021 18:40
ASNN – 30-vjeçari, kampion i shumëfishtë dhe protagonist i viteve të fundit, rrëfen tërheqjen nga sporti. Pak ditë më parë, një nga protagonistët më të spikatur të çiklizmit shqiptar të këtij 10-vjeçari të fundit, Ylber Sefa, ka njoftuar tërheqjen e tij nga ky sport. Dhe duke folur posaçërisht për RTSH Sport nga Belgjika, 30-vjeçari ka shpjeguar edhe arsyet që e çuan në këtë vendim.
Duke reflektuar mbi karrierën e tij, çiklisti kuqezi ka rrëfyer edhe pengjet e tij. “Arsyeja kryesore që mora këtë vendim ishte se nuk arrita të gjej ekip për vitin e ardhshëm, – ka zbuluar ai. – Gjithashtu, një arsye tjetër ishte se nuk doja të qëndroja më në skuadrën aktuale, si dhe ekipet e tjera nuk paguanin mjaftueshëm aq sa doja unë.”
“Por jam i zhgënjyer me shtetin shqiptar, me Federatën, që nuk arrijnë të krijojnë një ekip kontinental me çiklistët shqiptarë”, – ka shtuar Sefa. Duke reflektuar mbi karrierën e tij, çiklisti kuqezi ka rrëfyer edhe pengjet e tij. “Sigurisht që karrierën time do ta vlerësoja si një ndër më të veçantat, një ndër më të bukurat, pasi i rezistoi të gjitha krizave të kohës që pësoi çiklizmi si në Shqipëri ashtu dhe në botë”, – ka thënë ai.
“Të jem realist, nuk ndihem i përmbushur, sepse kisha akoma shumë për të dhënë”, – ka pohuar sportisti shqiptar, i cili ka folur edhe për planet e tij për të ardhmen. “Tani do të fokusohem te familja dhe profesionet e mia me diplomat që kam, – ka thënë ai. – Mund të them se do të shkëputem plotësisht nga sporti, sepse diplomat e mia që kam nuk kanë lidhje me çiklizmin.”
Ylber Sefa ka mbizotëruar në garat e Kampionatit Kombëtar këto vitet e fundit, por ka spikatur edhe në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, duke fituar etapa edhe në sezonet e fundit kur kjo garë u pjesë e kalendarit ndërkombëtar.