AlbanianSport.com 18/04/2020 19:15
ASNN – “Njëra prej xhudisteve më të jashtëzakonshme të dhjetëvjeçarit të fundit”. Kështu ka vlerësuar të shtunën Majlinda Kelmendin faqja zyrtare në Internet e Unionit Evropian të Xhudos (EJU). Kjo e fundit ka publikuar një shkrim për kampionen olimpike mbarëshqiptare dhe për mënyrën sesi ajo i kalon ditët e saj në këtë situatë të jashtëzakonshme të shkaktuar nga epidemia e koronavirusit. “Në kohërat e jashtëzakonshme bëhet thirrje për veprime të jashtëzakonshme nga njerëz të jashtëzakonshëm”, – shkruan organizmi që qeveris xhudon kontinentale.
“Është e pamundur të shmanget fakti që të gjithë po jetojmë në kohë të jashtëzakonshme tani, – vijon tej shkrimi i EJU-së. – Ndërkohë për kampionen olimpike, Majlinda Kelmendi, njërën prej xhudisteve më të jashtëzakonshme të dekadës së fundit, mbajtja e gjërave të zakonshme sa më shumë të jetë e mundur, është përparësi.” Unioni Evropian i Xhudos e ka vlerësuar gjithashtu Majlindën si një prej sportisteve më të suksesshme të të gjitha kohërave në kategorinë e peshës së saj trupore, atë deri në 52 kilogramë.
Në këtë shkrim është vetë Majlinda që ka folur për ditët e saj në këtë kohë të epidemisë globale. “Jam në shtëpi gjatë kësaj periudhe të vështirë, – ka zbuluar ajo. – Unë jetoj pranë qendrës tonë stërvitore dhe nuk duhet të largohem për të bërë stërvitje. Jemi 11 xhudistë që jetojmë afër qendrës. Nuk shkojmë askund tjetër, por vetëm në qendrën stërvitore dhe kthehemi në shtëpitë tona. Nuk përzihemi me askënd tjetër. Ne jemi mirë dhe familjet tona janë në gjendje të mirë shëndetësore. Të gjithë shpresojmë se situata aktuale do të përfundojë në të ardhmen e afërt e do të kthehemi në rutinën tonë.”
Kampionia olimpike ka treguar se nuk e humb asnjë stërvitje dhe se ushtron shumë me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën. Ajo ka rrëfyer se ekipi i xhudos bënë ecje nëpër male, duke mbajtur vazhdimisht distancën me të tjerët. Majlinda thotë se po ndihet mirë dhe në formë. Por asaj po i mungon tensioni dhe emocionet që sjellin garat dhe po ashtu përballja me xhudistet tjera. “Kjo kohë jashtë garave më ka ofruar mundësinë të reflektojë për disa gjëra në karrierë dhe të përmirësoj përqendrimin”, – pohon kampionia evropiane, botërore dhe olimpike.
“Natyrisht kam menduar për (Lojërat Olimpike) “Rio 2016”, – ka vijuar 29-vjeçarja. – Kanë qenë kohëra të vështira pas triumfit në Lojërat Olimpike, me disa dëmtime radhazi. Por ia kam dalë të kthehem e fortë dhe të gjejë rrugën drejt podiumit. Kam qenë sidomos e kënaqur me kthimin në Abu Dhabi, edhe pse u dorëzova në finale për shkak të dëmtimit. Vazhdova me fitore në Tashkent, ku isha shumë e kënaqur me mënyrën si kam triumfuar. Isha e kënaqur edhe me medaljen e bronztë në Botëror, që ka konfirmuar se jam në rrugën e duhur”, – ka përfunduar Majlinda Kelmendi.