AlbanianSport.com 02/02/2024 18:35
ASNN – Për herë të tretë, Distria Krasniqi ka fituar garën më prestigjioze të xhudos, “Grend Slam”-in e Parisit, teksa të premten mbrojti titullin e kampiones në kategorinë e peshës trupore deri 52 kg. Përveçse në vitin 2023, Krasniqi e kishte fituar të artën edhe në vitin 2020, ndërsa ka edhe dy medalje të argjendta e dy të bronzta.
Në finale, para një numri të konsiderueshëm shikuesish, Distria e mposht britaniken Çellsi Xhils, duke ngadhënjyer me një “pazari”, ndërsa e kontrolloi gjithë ndeshjen. Me xhudisten britanike, Krasniqi ka tani 4 fitore e një humbje. 28-vjeçarja Krasniqi ishte e para e renditjes së kësaj kategorie peshe, ndërsa pati një ditë të shkëlqyer.
Gjithçka nisi me fitore për 9 sekonda ndaj francezes Leonie Gonzalez. Më pas e mposhti për 37 sekonda koreanojugoren Sejun Xheng. Me fitore me “Ippon” vijoi edhe në çerekfinale, teksa për 2 minuta e 12 sekonda e kaloi Khorludoi Bishreltin, që përfaqëson Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pak më shumë u sfidua në gjysmëfinale, ku sidoqoftë e kaloi japonezen Kisomi Omori, teksa ndaj saj fitoi me “pazari” në kohën shtesë. Me këtë medalje të artë, Distria Krasniqi fiton edhe 1,000 pikë në renditjen botërore dhe do të forcohet edhe më shumë në vendin e parë të renditjes në kategorinë e peshës trupore deri 52 kg.