AlbanianSport.com 23.08.2015 12:55
ASNN – Tashmë është zyrtare: Kampionia e Botës në xhudo, Majlinda Kelmendi nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në Astana të Kazakistanit. Lajmin e ka konfirmuar vetë trajneri i saj, Driton Kuka, i cili në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se Majlinda nuk ka qenë e gatshme për Botëror, për shkak të dëmtimit të gjurit dhe të shpinës.
“Sot kemi mbërritur në Astana ku mbahet Kampionati Botëror, – ka shkruar trajneri i pejanes. – Sot mora vendimin që kampionia e dyfishtë botërore mos të garojë në ketë garë. Majlinda sot dukej e mërzitur sepse të tillë janë kampionët e mëdhenj, duan që të japin gjithmonë maksimumin, por ajo do përgatitet për Lojëra Olimpike, ku presim që të plotësoj të vetmen medalje që ende nuk e ka në koleksionin e saj.”
“Sivjet Majlinda pati se pari dëmtimin e gjurit dhe, kohët e fundit, edhe atë të shpinës prandaj paraqitja e saj, sipas meje, nuk ka qenë ende në nivel për Botëror”, – ka sqaruar Kuka. Trajneri ka konfirmuar nga ana tjetër, se në këtë Kampionat Botëror do të marrin pjesë Nora Gjakova për kategorinë e peshës trupore deri në 57 kilogramë dhe Distria Krasniqi kategorinë e peshës trupore deri në 52 kilogramë.