AlbanianSport.com 02.02.2016 10:25
Deri në 20 mijë shikues mblidhen në arenë për Turneun e Çmimit të Madh (Grand Prix) të xhudos, që çdo vit mbahet në Paris. “Grand Prix”-i i Parisit vlerësohet si gara më prestigjioze e xhudos, ndërsa edicioni i vitit 2016 do të mbahet në fundjavë, më 6 dhe 7 shkurt 2016. Gara mbahet në arenën e njohur si “Bersi Arena”, ndërsa atmosfera që krijohet në të është më e mira që njeh bota e xhudos.
““Çmimi i Madh i Parisit” prodhon një prej atmosferëve më elektrizuese në botën e sportit, – shkruan për të faqja zyrtare në Internet e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). – Atmosfera e zhurmshme e tifozëve francezë motivon skajshëm xhudistët vendas, por edhe kundërshtarët. Në edicionin e këtij viti pritet të arrihen nivele të reja për atmosferë e për garë.”
Xhudistët kosovarë kanë kujtime të mira nga kjo garë, sidomos kampionia Majlinda Kelmendi. Kjo e fundit ka fituar medaljen e artë në kategorinë e peshës trupore deri 52 kilogramë gjatë dy vitet e kaluara. Me synim të njëjtë, pra për të fituar të artën, Kelmendi do të udhëtojë sërish në Paris. Në fakt, në kryeqytetin francez marrin pjesë çdo vit xhudistët më të mirë në botë.
Ndërsa midis dhjetëra e mijëra shikuesve gjithnjë ka figura të njohura publike të Francës dhe të shteteve tjera. Sidomos kur garojnë francezët atmosfera në palestër bëhet e zjarrtë. Të gjithë flasin për përjetimin e veçantë kur interpretohet himni i Francës, kur ndonjë xhudist i këtij vendi fiton të artën. Franca njihet si vend i xhudos. Ka 600 mijë xhudistë të regjistruar dhe plot kampionë të mëdhenj. Në çdo kategori Franca do të ketë nga katër xhudistë.
Yll i ngjarjes prapë pritet të jetë gjiganti francez Teddy Riner, kampioni i 8-fishtë i botës dhe kampioni olimpik. Riner është xhudisti më i mirë i të gjitha kohërave, ndërsa në Paris ka fituar gjashtë herë. Me këto gjëra pritet të përballet edhe kosovarja, Majlinda Kelmendi. Kampionia e dyfishtë e botës, Kelmendi, pasi fitoi më 17 tetor të vitit të kaluar, u ndal gjatë në arenën madhështore për të dhënë intervista dhe autografe për tifozët.