Gjergj Vyshka 28.03.2016 20:00
Të shtunën, Federata Shqiptare e Xhudos, edhe me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka nisur kursin e trajnimit të nivelit të parë të instruktorëve. Ky kurs, edhe sipas informacionit që ka sjellë për “Sport Ekspres”, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo, bëhet sipas standardeve të Akademisë Botërore të Xhudos.
Do të zhvillohen 12 leksione, që do të shoqërohen me demonstrime praktike, ndërsa kursi është përgatitur nga Dashnor Xhika dhe ndihmësit e tij. Të gjitha temat janë përshtatur sipas Akademisë Botërore të Xhudos e për çdo leksion do të ketë testim për pjesëmarrësit. Ky kurs i nivelit të parë do të ndiqet nga dy kurse të nivelit të dytë, si dhe niveli i tretë për trajner dhe “pro” dhe “master” për të gjithë.
Në këtë kurs marrin pjesë 25 specialistë të xhudos, ndërsa janë përshëndetur nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe ai i xhudos Muharrem Harizi.