AlbanianSport.com 04.01.2017 13:40
…vijon nga dje
ASNN – “Nuk mendoj se ka ndonjë sekret, thjesht punoj shumë, jam shumë e përkushtuar, sporti është krejt jeta ime, nuk bëj asgjë tjetër, punoj në mënyrë profesionale, thjesht bëjë xhudo, kështu që vij në stërvitje, pushoj, pres stërvitjen tjetër dhe mendoj se kjo është formula e suksesit, – rrëfen Kelmendi. – Deri sa je e përkushtuar dhe ke vullnet, ke objektiv, ke synim, sigurisht suksesi se ka për të ardhur.” Xhudistja pejane ka folur edhe për vitin 2017.
Majlinda premton suksese edhe në vitin që kemi hyrë. Por Kampionati Evropian dhe Botëror janë objektivat e Majlindës në vitin 2017. “Në 2017-ën shpresoj shumë se nuk do të kem probleme më dëmtimet që i kam pasur, pra në shpinë, dhe objektivi kryesor do të jetë Kampionati Evropian, në muajin prill, dhe Kampionati Botëror, në Budapest në muajin gusht, – thekson ajo. – Shpresoj shumë se do ta rifitoj titullin e kampiones së botës, të cilin nuk kam mundur ta mbroj në vitin 2015 për shkak të dëmtimit.
“Pavarsisht asaj që i kam fituar të gjitha medaljet e mundshme, të gjithë titujt e mundshëm, ende jam e etur për suksese dhe kam edhe shumë më shumë për të fituar, por Kampionati Evropian dhe ai Botëror janë synimi im kryesor”, – tha kampionia olimpike. Në intervistën për Agjencinë “KosovaPress”, Majlinda flet edhe për jetën e saj private. Kelmendi thekson se është një vajzë e thjeshtë dhe se nuk ka diçka të veçantë tek ajo si femër.
Majlinda thotë se në Pejë njerëzit janë mësuar ta shohin, por ajo thekson se në qytete tjera të Kosovës është vështirë për të ecur rrugëve, sepse njerëzit e qyteteve tjera janë mësuar ta shohin vetëm në TV. “Jam thjesht një vajze e cila i ka kryer studimet, kam kryer Fakultetin Ekonomik, me profil kontabilitetit, dhe nuk bëjë asgjë tjetër vetëm stërvitem, – rrëfen pejania. – Nuk është se kam ndonjë jetë kushedi se çfarë, udhëtoj shpesh, jam më shumë jashtë vendit së këtu, mirëpo, nuk kam diçka të veçantë.
“Në Pejë njerëzit janë mësuar të më shohin, por prapë së prapë fëmijët vijnë, mirëpo, kur shkoj në qytete tjera të Kosovës është vështirë realisht më ecë nëpër rrugë, sepse shumë prej tyre edhe pse Kosova është e vogël, ndoshta 80 % prej tyre më kanë parë vetëm në TV, kështu që janë shumë të befasuar, të entuziazmuar,- vijon xhudistja. Mirëpo, mua më bën të ndihem mirë kur njerëzit vijnë më marr autografe, thjesht e konsideroj si respekt dhe mundohem t’ia kthej më të mirë.”