AlbanianSport.com 29.10.2014 19:50
ASNN – Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në turneun “Çmimi i Madh 2014” në xhudo, që po zhvillohet në Abu Dabi. Xhudistja nga Peja ka mundur në finalen e peshës 52 kg, rumunen Çitu. Pas këtij suksesi, Kelmendi ka marrë 500 pikë olimpike, të cilat do ta ndihmojnë në rrugën drejt kualifikimit për në Olimpiadën e Rio De Zhaneiros në 2016-n. Kështu, Majlinda Kelmendi vazhdon të triumfojë në arenën ndërkombëtare, duke sjellë të tjera medalje në Kosovë.
Xhudistja pejane ka fituar medaljen e artë në turneun prestigjioz “Çmimi i Madh”, që po zhvillohet në Abu Dhabi. Në finalen e kategorisë së peshës trupore deri në 52 kilogram në xhudo ka mposhtur rumunen Andrea Kitu. Sipas shortit, në turin e parë, Kelmendi u kualifikua “aforfe”, sepse nuk kishte kundërshtar, ndërsa në turin e dytë mundi kanadezen Ekaterina Guicia. Më tej në turin e 3-të xhudistja pejane, pas një prezantimi mjaft të mirë ka mundur italianen Odet Gifrida.
Ndërsa në turin e katërt, pejania ka mposhtur francezen Anabel Erane. Pas triumfit, Majlinda Kelmendi është shprehur mjaft e lumtur. “Ndihem shumë e lumtur për medaljen dhe titullin, – ka deklaruar xhudistja kosovare, që deri para pak kohësh konkurronte për Shqipërinë, në mungesë të njohjes ndërkombëtare të Kosovës. – Pasi përveçse jam kampione e dyfishtë botërore, kisha patur vetëm një medalje të artë në garat e “Çmimeve të Mëdha”.”
“Kjo është e dyta dhe ndihem shumë mirë”, – ka shtuar Majlinda pas triumfit arab. Pas këtij suksesi, Majlinda Kelmendi ka fituar edhe 500 pikë të tjera olimpike, të cilat do ta ndihmojnë mjaft në rrugën drejt kualifikimit për në Lojërat Olimpike të 2016-s në Rio De Zhaneiro të Brazilit. Majlinda, në fund ka bëtë të ditur se për këtë vit nuk do të garoj në asnjë eveniment të madh, përveç në garën për titullin e kampionit evropian për skuadra në xhudo.