Përshtatur nga Koha Ditore 25.11.2016 14:35
ASNN – Kristianë Lezhentil e ka një shpjegim të veçantë për atë se si ia doli ta befasojë Majlinda Kelmendin në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur e Kosovës, “Koha Ditore”. 24-vjeçarja kishte shtangur sportisten më të mirë të Kosovës, duke e mposhtur në turin e dytë të Lojërave Olimpike të vitit 2012. Majlinda ishte favorite absolute në luftë dhe ishte në epërsi, por, një moment pakujdesie i kushtoi me humbje.
Lezhentili fitoi me “Ippon” dhe më pas u rendit e 7-ta që, për këtë xhudiste nga Maurishiusi ishte sukses shumë i madh. Majlinda mbeti duarbosh, por atë dështime kompensoi katër vjet më vonë, në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Majlinda fitoi në Rio medaljen e artë olimpike, për sukses historik, ndërsa rrugës deri te medalja më e çmuar, ajo e mposhti edhe Lezhentilin. Në Londër, 4 vite më parë, Majlinda ishte ndër favoritet kryesore, ndërsa Lezhentili ishte shumë poshtë në renditje, rreth vendit të 100-të.
“Unë thjesht nuk e kam njohur Majlindën në Londër, – ka thënë Lezhentili të martën për gazetën në fjalë. – Unë bëja karrierë në kategorinë deri 48 kilogramë tek të rejat, deri pak para Lojërave Olimpike. Ndërkohë, kalova në kategorinë deri 52 kilogramë kur dola në nivelin e të rriturave. Fitorja ndaj Majlindës për mua nuk ishte befasi, pasi unë isha stërvitur për paraqitje të mirë në Londër. Po ashtu nuk kisha stres para ndeshje dhe kjo ishte pozitive për mua. Nuk kisha stres, pasi nuk e kam njohur Kelmendin.”