AlbanianSport.com 11.01.2017 17:55
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, përveç synimit që nxënësit e tij të fitojë medalje në të gjitha garat ku do të marrë pjesë, Driton Kuka për këtë vit qëllim ka të zgjerojë ekipin që e përfaqëson Kosovën në gara të xhudos. Madje, trajneri pejan ka nisur tashmë punën për këtë qëllim.
Si asnjëherë më parë, në kampin e madh ndërkombëtar që po mbahet në Mitersill të Austrisë, Kuka ka marrë me vete 13 xhudistë, 7 femra e 6 meshkuj. “Këtë vit do të marrim pjesë nëpër gara me numër më të madh garuesish, – ka thënë ai. – Po mundohemi të bëjmë ekip edhe më serioz, me numër më të madh konkurrentësh.”
“Kurrë nuk kemi qenë në numër kaq të madh në kampin në Mitersill, që, në njëfarë mënyre, hap edhe vitin për xhudon, – ka vijuar trajneri për mediat e Kosovës. – Më gëzon fakti që, përpos vajzave, edhe disa djem të rinj e kanë rritur ndjeshëm nivelin dhe kështu do të fillojë t’i testoj nëpër gara më serioze.”
“Përveç Akil Gjakovës, tashmë edhe Shpat Zeka ka nivel për të kërkuar suksese në grupmoshën e paratërinjve, – ka vijuar trajneri i Majlinda Kelmendit. – Nëpër kampe e gara, këtë vit e kam në plan të testoj 10 deri në 15 xhudistë. Kjo do të bëhet për të ditur se ku të fokusohemi dhe ku të investojmë më shumë.”