AlbanianSport.com 17.01.2017 21:20
ASNN – Xhudoja është pjesë e familjes së Driton Kukës. Njëri nga vëllezërit e tij, Syla, ishte trajner i tij dhe vëllai tjetër, Agroni, është aktualisht president i Federatës së Xhudos së Kosovës. Së bashku, ata e ndërtuan një klub të quajtur “Ippon” dhe ata e kanë një palestër të improvizuar, prej nga kanë dalë shumë kampionë.
Në vitin 1999, kur lufta në Kosovë mbaroi, Kuka filloi të stërviste fëmijët, shkruan faqja e njohur dhe e specializuar në këtë sport, “judocrazy.com”. Sot klubi numëron rreth 200 anëtarë, duke përfshirë këtu edhe medalistët tek kategoria e paratërinjve, të rinjve dhe të rriturve.
Pa dyshim, nxënësja më e famshme e tij është Majlinda Kelmendi, e cila kishte nisur të merrej me xhudo kur ishte 8-vjeçare. “Ajo ishte mjaft serioze në moshën e saj, shumë e fokusuar që nga fillimi”, – kujton Kuka. “Ajo ishte nxënësja ime favorite. E shihja potencialin në të”, – vazhdoi ai. Kelmendi ishte talente e lindur.
Ishte djathtake natyrale, por gjatë karrierës e forcoi edhe anën e majtë. Një ditë Kuka e pyeti se përse e kishte fokusuar forcën e saj në anën e majtë dhe ai e mori një përgjigje befasuese. “Ajo më tha se më kishte parë duke luftuar në anën e majtë dhe e kishte nxjerrë konkludimin se duke luftuar në anën e majtë do të ishte mënyra më e mirë për ta bërë këtë”, – përfundoi Kuka.