AlbanianSport.com 23.09.2016 10:40
ASNN – Majlinda Kelmendi rrëfen emocionet e medaljes olimpike për mediat e Kroacisë. Në prag të pjesëmarrjes në Çmimin e Madh të Zagrebit, kampionia olimpike, botërore dhe evropiane rrëfen: “Njerëzit, posaçërisht fëmijët e vendit tim, më shohin si heroinë, kështu që jam ndier mjaft mirë kur jam kthyer në shtëpi me këtë medalje të artë”, – ka thënë ajo. Majlinda Kelmendi po qëndron në Kroaci, ku në fundjavë zhvillohet turneu “Çmimi i Madh i Xhudos – Zagreb 2016”.
Xhudistja kosovare ka dhënë një intervistë për mediat kroate së cilave ua ka shpalosur atë që ndjeu kur e fitoi medaljen e artë dhe për mburrjen që e ndien pasi e bëri krenarë të gjithë vendin e saj. “Ishte hera e parë që Kosova ishte pjesë e Lojërave Olimpike dhe ishte një moment historik, jo vetëm për mua, jo vetëm për sportin, por për tërë Kosovën si vend”, – ka thënë ajo, duke folur në Zagreb për mediat vendase. – Njerëzit, posaçërisht fëmijët e vendit tim, më shohin si heroinë.”
“Kështu që jam ndier mjaft mirë kur jam kthyer në shtëpi me këtë medalje të artë, sepse nuk u realizua një ëndërr vetëm për mua, por për të gjithë fëmijët dhe për të gjitha gjeneratat në Kosovë”, – ka vijuar më tej kampionia olimpike, botërore dhe evropiane, e cituar nga mediat kroate. “Kështu që unë u ndjeva mjaft e bekuar që e fitova këtë medalje dhe i bëra të lumtur njerëzit e mi, fëmijët atje dhe të gjithë në vendin tim”, ka përfunduar Majlinda Kelmendi.