AlbanianSport.com 27/02/2022 22:25
ASNN – Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) e ka pezulluar Vladimir Putinin si “president nderi” dhe “ambasador” të saj. Vendimi është një nga shumë sanksione të tjera sportive ndërkombëtare të ndërmarra ditët e fundit. Kështu, Federata Ndërkombëtare e Xhudos njofton pezullimin e statusit të presidentit rus si “President i Nderit” dhe “Ambasador” i tyre. 69-vjeçari është një tifoz i madh i xhudos, madje e ka përshkruar atë si “sportin e tij të preferuar”.
Ai është një vizitor i rregullt i veprimtarive të IJF-së, duke përfshirë Kampionatin Botëror 2017 në Budapest dhe ngjarjen e vitit të kaluar në Baku. Putini dhe presidenti aktual, Marius Vizer, gjithashtu ndoqën së bashku garën e xhudos gjatë Lojërave Olimpike 2012 në Londër. Ai u nderua me “danin” e 8-të në 2012 nga IJF-ja, duke u bërë rusi i parë që arriti atë nivel. Por sporti i xhudos ka zgjedhur të distancohet nga rusët për shkak të konfliktit të vazhdueshëm midis vendit të tij dhe Ukrainës fqinje.
Federata gjithashtu njoftoi së fundmi anulimin e Çmimit të Madh 2022 në Kazan, të Rusisë, i cili ishte planifikuar të mbahej nga data 20, deri në 22 maj të këtij viti. Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vize, deklaroi: “Ne jemi të pikëlluar nga situata aktuale ndërkombëtare, si rezultat i dialogut joefikas në nivel ndërkombëtar. Ne, si komunitet sportiv, duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të fortë, për të mbështetur njëri-tjetrin dhe vlerat tona universale, në mënyrë që të promovojmë gjithmonë paqen dhe miqësinë, harmoninë dhe unitetin.”
“Familja e xhudos shpreson se trazirat aktuale të zgjidhen për të rivendosur normalitetin dhe stabilitetin në Evropën Lindore dhe në botë, për të qenë sërish në gjendje të fokusohen në kulturat e ndryshme, historinë dhe trashëgiminë e Evropës. Kjo do ishte mënyra më pozitive”, – ka përfunduar kreu i organizmit që qeveris xhudon botërore.