Gjergj Vyshka 06.06.2016 14:35
Françesko Gega, xhudisti shqiptar që stërvitet në Itali, është shpallur “nënkampion” Ballkani për të rinj në Kampionatin i cili në këtë fundjavë është zhvilluar në Bihaç të Bosnje-Hercegovinës. Xhudisti i peshës 73 kg, sipas informacionit që ka sjellë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo, mund dhe të kishte marrë medalje ari. Por, përballë kundërshtarit të tij rumun është dënuar me “shido”, që në shqip do të thotë faull.
Ndaj dhe ka përfunduar në vendin e dytë ose ndryshe tek medalja e argjendtë. Në të njëjtën kohë një rezultat të mirë ka dhënë edhe Jon Vrenozi i peshës deri në 66 kg, i cili sipas Çapos i kishte të gjitha mundësitë për medaljen e bronztë, por ka shkaktuar faull, quajtur ndryshe “shido”. Dhe ka përfunduar në vendin e pestë. Një paraqitje të mirë ka bërë edhe Aldo Lushaku, po në peshën deri në 66 kg.
Ndërkohë, shef delegacioni dhe trajner i kombëtares së të rinjve në këtë Ballkaniadë në Bihaç ishte Erind Cara. Por zyrtar i delegacionit ka qenë edhe Arif Vrenozi, të cilin Federata Shqiptare e Xhudos e ka vlerësuar për shoqërues dhe kontribuues të padiskutueshëm në veprimtaritë zyrtare të këtij institucioni. “Përgatitja ka qenë shumë serioze”, – ka thënë Çapo.
“Por mungesa e eksperiencës, vlerësimi jo i drejtë i gjyqtarisë bën që ne të humbasim dy medalje të sigurta. Megjithatë dhe kjo paraqitje duhet konsideruar sukses”, – ka përfunduar nr. 2 i organizmit që qeveris xhudon shqiptare, ndërsa është vlerësuar dhe puna e palodhur dhe këmbëngulëse e trajnerit Erind Cara. Kësisoj Françesko Gea ka ardhur nga Ballkaniada e të rinjve me medalje argjendi.