AlbanianSport.com 23.04.2015 12:05
ASNN – Xhudo po bëhet një sport mjaft i përhapur në qytetin e Elbasanit. Janë djem dhe vajza të moshës 6-16 vjeç që po ushtrojnë këtë sport dhe kanë nxjerrë 5 kampionë e nënkampionë në veprimtaritë kombëtare.
Qyteti i Elbasanit ka kampionët e vet edhe në sportin e xhudos. Përveç ekipit të parë, janë edhe ekipet “zinxhir” të moshës nga 6, deri më 16 vjeç, me djem dhe vajza, që po funksionojnë rregullisht. Ndonëse ka vetëm 6 muaj që është krijuar, ekipi i parë me trajner Ermir Lazajn ka 6 kampionë dhe nënkampionë kombëtarë.
Zëvendëspresidenti i Federatës së Xhudos, Alfons Babani, dhe koordinatori i projektit, Florian Progri, tregojnë se federata punon në bazë të projekteve të dërguara nga Federata Botërore e Xhudos. Duke u bazuar këtu, qyteti i Elbasanit ka fatin të jetë pjesë e këtyre projekteve.
Ekipet e xhudos në Elbasan po përgatiten për konkurrimin në Kampionatin Kombëtar, që do të zhvillohet në muajin maj në Tiranë. Nga ky qytet do të konkurrojnë 5 ekipe me 25 sportistë.