AlbanianSport.com 20.08.2015 13:05
ASNN – Përgjatë javës së fundit të muajit gusht, sporti i xhudos do të mbajë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, Kampionatin e tij Botëror për Të Rritur. Vëmendja në këtë veprimtari do të jetë e përqendruar edhe te xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, e cila do të synojë, për të tretin sezon radhazi, kurorën e më të mirës së botës në peshën e saj.
Botërori i xhudos, ngjarja më e madhe e këtij viti në këtë sport luftarak, mbahet në Astana të Kazakistanit, nga 24 deri më 30 gusht dhe Majlinda Kelmendi është favorite absolute në kategorinë deri 52 kilogramë. Kështu shkruan faqja zyrtare në Internet e Federatës Evropiane të Xhudos (EJU), në një analizë mbi këtë veprimtari të të rriturve që nis pas pak ditësh.
Garat në kategorinë e Kelmendit, atë deri 52 kilogramë, zhvillohen të martën e ardhshme, më 25 gusht 2015. “Majlinda Kelmendi është favorite absolute në kategorinë deri 52 kilogramë”, shkruan faqja në fjalë ndër të tjera për xhudisten pejane, duke vijuar: “E pamposhtur për dy vite, Kelmendi ka seri të fitoreve që mund të krahasohet vetëm me atë të Tedi Rinerit.”
“Për të vënë në pah rolin e favorites, Kelmendi ka bilanc 5-0 ndaj rivales më të afërt Andrea Çitu, – vijon më tej analiza e artikullit të faqes së Internetit të organizmit që qeveris xhudon botërore. – Gjasat më të mëdha për një surprizë janë ndoshta kundër japonezes Juki Hashimoto, apo ruses Natalia Kuziutina.” 24-vjeçarja Majlinda Kelmendi është kampione në fuqi e botës, një kurorë që e mban gjatë dy viteve të fundit.