AlbanianSport.com 21.11.2016 17:10
ASNN – Anton Cena vijon me sukseset ndërkombëtare dhe, sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, së fundmi, ai është shpallur nënkampion i botës, duke e fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror për Veteranë në Xhudo, i cili u mbajt në Fort Louderdejl të Floridës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kam arritur deri në finale dhe, në përfundim i garës, u stolisa me medaljen e argjendtë, – ka thënë ai për mediat e Kosovës. – Fillimisht, dua ta falënderoj familjen time që më ka përkrahur pa rezerva, por edhe kolegët në punë që më kanë qëndruar afër në kohën kur më së shumti pata nevojë për ta, pas dëmtimit që kam pësuar.”
“Ishte një garë dinamike, e zhvilluar në kuadër të emocionit për përfaqësim dinjitoz të vendit tim, përvojës dhe profesionalizmit që kërkon përkushtim të palodhshëm, – ka vijuar ai. – Dhashë gjithçka që pata nga vetja dhe u radhita i dyti, për t’ia lënë radhën e fitores kundërshtarit tim që e kam mundur vitin që shkoi në Amsterdam.”
“Mjaftoi një rrëshqitje për disa sekonda dhe unë dola të jem i dyti, – ka vijuar veterani i xhudos. – Sidoqoftë, jam i kënaqur që Kosovës sime dhe popullit tim, do të ia sjell edhe një medalje”, – përfundoi Cena, i cili njëherësh është edhe kampion bote dhe Evrope në xhudo për veteranë. Garën e radhës ai do ta ketë në Athinë të Greqisë, në vitin 2017.