Gjergj Vyshka 08.09.2015 16:05
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo, ka lajmëruar se këto ditë në Shqipëri ka qenë për vizitë një skuadër angleze e quajtur “Marshallshviks Xhudo Klub”. Madje të shoqëruar dhe nga zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Xhudos, Alfons Babani, ata dje paradite kanë qenë dhe në mjediset e institucionit më të lartë të xhudos shqiptare.
E sipas informacionit që ka dhënë Çapo për mediet shqiptare, anglezët në fundjavën e kaluar kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët në kompleksin “Rinia” në Kamëz, e cila është drejtuar nga mjeshtri anglez Dagllas Sidbruk. “Stërvitja ishte e vlefshme për sa i përket pjesës së programit të tapetit, ndërsa gjithçka kaloi në një atmosferë miqësore”, – ka thënë Çapo.
“Jo vetëm kaq, por Dagllas Sidbruk i dhuroi sportistit Renato Gega diçka simbolike, që do të ruhet nga klubi Rinia për t’iu dhënë në një të ardhme një fëmije tjetër”, – ka shtuar ai. Por në të njëjtën kohë klubi anglez ka kryer dhe një mision bamirësie, ndërsa është bërë një vizite humane në shtëpinë e mjeshtrit të këtij sporti në vendin tonë, Anton Shkoza.
“Në përfundim nga anglezët është premtuar që për një vit do të ketë për Shkozën dhe dy fëmijë të klubit “Rinia”” një mbështetje financiare. Duke falënderuar koordinatorët Met Shkreli dhe Ylli Paja, si dhe menaxherin Saimir Haxhiu, tashmë shpresojmë që edhe në të ardhmen të kemi bashkëpunime të tilla”, – ka përfunduar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo.