AlbanianSport.com 10.01.2015 21:15
Xherdan Shaqiri ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me Interin. Sulmuesi me origjinë kosovare kërkon të debutojë me skuadrën e tij të re në ndeshjen e së dielës kundër Xhenoas. Shaqiri nuk ka humbur aspak kohë dhe menjëherë pas vizitave mjekësore ka nisur stërvitjen me zikaltërit.
Sulmuesi është paraqitur në seancën e parë të përgatitjeve me këpucët e tij sportive me flamurin e Kosovës dhe Zvicrës të stampuar mbi to. Shaqiri u transferua nga Bajerni i Mynihut tek Interi, ndërsa cilësohet si një nga lëvizjet më të rëndësishme në merkaton e dimrit për futbollin italian.
Për të shpërblyer pritshmëritë e klubit, por edhe tifozëve zikaltër që e pritën si hero, futbollisti me origjinë kosovare ka nisur menjëherë përgatitjet. Objektivi i trajnerit Roberto Mançini dhe vetë lojtarit është që të debutojë në ndeshjen e radhës. Interi do të luajë në fushën e tij kundër Xhenoas të dielën në orën 12:30.
Por ka shumë pak mundësi që Xherdan Shaqiri të zbresë në fushë nga minuta e parë. Sidoqoftë, trajneri interist ka bërë të ditur se shpreson që sulmuesi të luajë për disa minuta në mënyrë që të debutojë përpara tifozëve. Xherdan Shaqiri u kërkua me ngulm nga Mançini dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës në të ardhmen.
Sipas mediave italiane, futbollisti do të formojë treshen e sulmit të Interit bashkë me Podolskin dhe Ikardin.