AlbanianSport.com 21.11.2014 16:50
ASNN – Një ditë pas zërave se Mançester Junajtid është gati të paguajë mbi 20 milionë euro për Xherdan Shaqirin, tani janë mediat italiane që shkruajnë se edhe 3 skuadra të Serisë A janë vënë pas futbollisti të Bajernit të Mynihut.
Fjala është për Romën, Napolin dhe Interin. Lidhur me këtë interesim të madh për Shaqën, është deklaruar edhe agjenti i lojtarit, që ka thënë se është gati të takohet me të gjithë për të realizuar lëvizjen e klientit të tij nga Bajerni që në janar të 2015-s.
Nga Italia, më parë interesim pati shprehur edhe Juventusi, ndërsa emrin e Shaqirit po e kërkojnë, sipas BBC-së, edhe Liverpuli, Çellsi dhe Totenhemi. Një gjë duket se është e sigurt, që pas 2 vjetëve të kaluara te bavarezët, Shaqiri do të largohet në drejtim të ndonjë gjiganti tjetër.
Kjo pasi nuk po gjen hapësirën e duhur, si rrjedhojë e konkurrencës së madhe që është në ekipin e Bajernit, që edhe i ka dhënë leje për t’u larguar, por me një kusht, që oferta për të të jetë më e lartë se 20 milionë euro.