Nga Frederik Ruço 18.09.2016 14:20
E thënë prej ish-basketbollistes së shquar të Tiranës edhe ekipit tonë kombëtar të femrave, “Xhekut”: “Sportin e basketbollit ma futi në gjak kur erdhi babai nga emigrimi në Amerikë, që solli me vete një sënduk brenda të cili kishte dhe shportën e basketbollit.” Evgjeni Vasil Kote ishte vajza e vetme në sport, kundruall tre motrave dhe katër djemve të kësaj familje.
Në familjen e Koteve ishte krijuar nga vëllezërit e saj tradita sportive, por pa përjashtuar dhe kulturën e mirëfilltë të muzikës. E gjithë kjo familje e madhe, duke përfshirë dhe dhëndurë e nuse me prodhimtarit e tyre bashkëshortore, janë modeli i familjeve të mëdha me traditat e zakonet më të mira që mund të ketë një familje tradicionale, ku fokusojnë pa ndrojtje cilësitë e të qenit shqiptar.
Përfaqësuesja më faktike e kësaj familje kaq të madhe ishte dhe është Evgjeni Vasil Sofije Kote, e cila në kujtimet e saj thotë “Këtë emër nuk e kam bërë vetëm, me ndihmën e pa çmuar të vëllezërve dhe motrave të mija, por dhe të bashkëshorteve të tyre, sikurse dhe kunatave, pa përjashtuar askënd nga farefisi dhe shoqëria e ngushtë. Sportin e basketbollit ma futi në gjak kur erdhi babai nga emigrimi në Amerikë, që solli me vete një sënduk brenda të cili kishte dhe shportën e basketbollit”.