Adriatik Balla 10.05.2015 14:20
Skuadra e Laçit ka bërë një paraqitje shumë të mirë dje në Shkodër, duke mundur Vllazninë 1-0 dhe duke marrë tri pikë që i japin shpresë për një pjesëmarrje në Ligën e Evropës.
Në takimin e djeshëm, të luajtur në Krujë për shkak se Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës po i ndëshkohet rindërtimit, kurbinasit u treguan më këmbëngulës dhe bënë më shumë për suksesin se sa vendasit, të cilët, duke mos pasur asnjë objektiv dhe krejtësisht të painteresuar, angazhuan të rinjtë dhe pranuan në fund epërsinë e kundërshtarit.
Ndeshjen e zgjidhi , si zakonisht, sulmuesi Xhejms, me golin e tij të shënuar në minutën e fundit të pjesës së parë. Laçi merr kështu tri pikë të çmuara për vazhdimësinë e garës, pasi, në dy javë të mbetura mund të bëjë realitet ëndrrën për një vend më të mirë në tabelë dhe sigurimin e pjesëmarrjes në Ligën e Evropës direkt nëpërmjet renditjes.
Por konkurrenca është e vështirë dhe kjo kushtëzohet nga fakti se në garë për vendin e dytë janë Tirana, Partizani, Kukësi dhe Laçit i duhet të jetë midis vendit të dytë e të tretë që të shkojë direkt në Ligën e Evropës, një objektiv i vështirë për këto dy javë të mbetura të Kategorisë Superiore.