AlbanianSport.com 17/08/2021 18:25
ASNN – Kampioni olimpik i 100 m reagon pas rezultimit pozitiv për doping të një sprinteri britanik. Kampioni Olimpik i sprintit, Lamont Marsel Xhejkobs, i cili garon për Italinë, ka deklaruar se ai nisi të qeshë kur dëgjoi se printeri britanik, Si-Xhej Juxhah ishte pezulluar përkohësisht për shkak të shkeljes së rregullave anti-doping. Në fakt, paraqitja në “Tokio 2020” e amerikanit që garon për Italinë, u cilësua si e papritur, sidomos nga mediat britanike, pasi ai u bë i pari atlet italian që fiton medaljen e artë olimpike në garën e 100 m.
26-vjeçari Xhejkobs nuk konsiderohej si favorit, derisa ai mbërriti i pari në finish. Por teksani tha se gjithçka e kishte pritur me qetësi. “Të gjitha gjërat që janë thënë nuk më kanë prekur fare, sepse jam i ndërgjegjshëm për sakrificën që kam bërë dhe vështirësitë që kam kapërcyer për të ardhur këtu”, – deklaroi Xhejkobs, duke folur për të përditshmen sportive italiane “Tuttosport”. “Unë thjesht dua ta shijoj 100%, – ka vijuar ai. – Teksa kam marrë vesh për hetimin që është hapur për Juxhah, do të thoja që, mbase është më mirë për britanikët që ta kthejnë më parë vështrimin nga shtëpia e tyre, përpara se të akuzojnë të tjerët.”
“Kjo më bëri për të qeshur”, – shtoi teksani. Mediat britanike patën hedhur dyshime mbi fituesin e garës së 100 m, duke aluduar se një nga dietologët e tij ishte akuzuar për shpërndarje substancash të ndaluara. Me Xhejkobsin në 4-she, Italia mori medaljen e artë edhe në stafetën e 4 x 100 m, duke lënë prapa Britaninë e Madhe, që, pas këtij rasti me doping, e humbet tanimë medaljen e argjentë, që i shkon Kanadasë, ndërsa Kina merr të bronztën.