AlbanianSport.com 26.10.2015 16:10
ASNN – Xhani Infantino mund të jetë një nga kandidatët për president të FIFA-s. Lajmin e bën të ditur gazeta “The Guardian”, duke shtuar se ai është një pretend për të zëvendësuar Mishel Platininë, nëse ky i fundit do të tërhiqet nga gara.
Platinia është i pezulluar nga Komisioni Etik i FIFA-s, pas akuzave për një pagesë të parregullt rreth 2 milionë euro të përfituara për një punë të kryer në këtë organizëm vite më parë.
Kjo mund ta bëjë të pamundur kandidimin e Mishel Platinisë dhe kush më mirë se krahu i tij i djathtë, Xhani Infantino, mund ta bërë një gjë të tillë. Problemet me korrupsionin në FIFA sollën dorëheqjen e Sep Blaterit, pak ditë pas rizgjedhjes së tij.
Blateri është pjesë e hetimit që po kryejnë drejtësia amerikane dhe zvicerane. Organizmi që qeveris futbollin botëror, FIFA, do të mbajë Kongresin e Jashtëzakonshëm për të votuar presidentin e ri 26 shkurt të vitit të ardhshëm.