AlbanianSport.com 26/03/2019 08:50
ASNN – Kombëtarja u mposht nga Turqia mbrëmjen e së premtes në Shkodër me rezultatin 2-0, duke i nisur mjaft keq eliminatoret e Euro-2020. Krejt ndryshe nga eliminatoret e shkuara, ku kuqezinjtë shkruan sukses në rang ndërkombëtar me pjesëmarrjen në “Francë 2016”, këtë herë Kombëtarja është një skuadër pa identitet, pa kualitet dhe e paaftë të kuptojë dobësitë e saj.
Trajneri Kristian Panuçi u shkarkua dje nga kreu i FSHF-së Armand Duka dhe pritet emërimi i trajnerit të ri, me shpresën që do të tejkalohet kjo gjendje katastrofë e ekipit. Për të analizuar këto zhvillime dhe për të marrë ide rreth tejkalimit të krizës, gazeta “SOT” intervistoi ish-futbollistin e shquar korçar, Dhimitraq Xhambazi, një nga specialistët e njohur të futbollit në vend.
Me argumente sportive, por edhe psikologjike, ai arrin në konkluzionin se largimi i Panuçit erdhi në momentin e duhur dhe tashmë skuadrës i duhet një frymë e re, për të cilën Xhambazi thotë se mund t’ia japë edhe një trajner shqiptar. Ish-futbollisti i Skënderbeut dhe Kombëtares, beson se skuadra do të gjejë forca të reagojë, por për të është e rëndësishme që ca gjëra të sheshohen mirë e të vihen në vijë.
Dhe këtu është fjala për strategjinë e së ardhmes. Këtë intervistë AlbanianSport.com do t’ju sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e 3-të dhe e fundit.
…vijon nga dje
– Deshëm një mendim nga ju edhe për situatën më të fundit të krijuar në kampionatin kombëtar të futbollit, pra në Superiore. Si korçar duhet t’ju ketë shijuar mjaft fitorja e fundit e Skënderbeut përballë një rivali pretendent për titull si Kukësi. Një fitore e “çuditshme”, kur mendon rezultatet e javëve të fundit. Si e parashikoni garën në këtë fund të edicionit?
– Kampionati ynë dihet çfarë niveli ka dhe skuadrat tona në tërësi janë aty-aty, flas për ekipet e kreut. Skënderbeu ka pasur problemet e veta këtë sezon, për shumë arsye që s’është nevoja të ndalemi këtë herë në detaje, pasi i kemi analizuar dhe më parë. Ka mungesë lojtarësh nga edicioni i kaluar, plus që u dëmtua edhe sulmuesi Bregu. Por pak nga pak ia doli të përmirësohet dhe fitorja e fundit me Kukësin nuk është rastësi. Mos harrojmë që Skënderbeu ka disa vite që dominon skenën futbollistike në Shqipëri dhe e ka ende “nuhatjen” apo dhe sharmin e një skuadre të suksesshme.
– Megjithatë, titulli këtë vit duket se po ngjyroset me të kuqe dhe po kthehet në kryeqytet…
– Partizani është skuadër që ka punuar mirë këtë sezon, ky është një realitet i pamohueshëm. Në këndvështrimin tim, me 80-90% mundësi titullin do ta fitojë Partizani, nisur dhe nga shkëputja që ka krijuar në renditje me ndjekësit. Sidoqoftë, duhet pritur dhe një ndeshje direkte për të parë më mirë si do të shkojnë gjërat. Luhet Kukësi-Partizani dhe një fitore e të kuqve, por edhe barazimi, do të afronte skuadrën e Gegës me titullin, në të kundërt mund të rihapet çështja e trofeut. Do të jetë një duel vendimtar, por unë sidoqoftë shoh Partizanin skuadër favorite për të fituar titullin kampion këtë sezon.
– Kampionati shqiptar në nivel, por edhe përfaqësimi me Kombëtaren në veprimtaritë e rëndësishme, nuk është se i plotëson shijet dhe pritshmëritë e sportdashësve apo jo?
– Kjo është temë e gjerë diskutimi. Natyrisht, futbolli shqiptar nuk mund të krahasohet me nivelin e kampionateve elitare evropiane, por kjo nuk na pengon të ëndërrojmë që edhe ne të shkojmë drejt këtij niveli. Me punë dhe investime mund t’ia dalim, shembuj ka plot për këtë. Kuptohet, kur gjërat nuk shkojnë mirë ka rezultate negative dhe humbja e fundit e Kombëtares na mërziti shumë. Atje ku ka humbje ka mërzitje, kurse entuziazëm dhe gëzim sjellin fitoret. Kjo vlen dhe për ne në Korçë, që ishim mësuar me triumfet e Skënderbeut gjatë këtyre viteve. Fundja këto janë emocionet që të dhuron futbolli, prandaj është loja më e bukur në botë.