AlbanianSport.com 24/03/2019 07:55
ASNN – Kombëtarja u mposht nga Turqia mbrëmjen e së premtes në Shkodër me rezultatin 2-0, duke i nisur mjaft keq eliminatoret e Euro-2020. Krejt ndryshe nga eliminatoret e shkuara, ku kuqezinjtë shkruan sukses në rang ndërkombëtar me pjesëmarrjen në Francë-2016, këtë herë Kombëtarja është një skuadër pa identitet, pa kualitet dhe e paaftë të kuptojë dobësitë e saj.
Trajneri Kristian Panuçi u shkarkua dje nga kreu i FSHF-së Armand Duka dhe pritet emërimi i trajnerit të ri, me shpresën që do të tejkalohet kjo gjendje katastrofë e ekipit. Për të analizuar këto zhvillime dhe për të marrë ide rreth tejkalimit të krizës, gazeta “SOT” intervistoi ish-futbollistin e shquar korçar, Dhimitraq Xhambazi, një nga specialistët e njohur të futbollit në vend.
Me argumente sportive, por edhe psikologjike, ai arrin në konkluzionin se largimi i Panuçit erdhi në momentin e duhur dhe tashmë skuadrës i duhet një frymë e re, për të cilën Xhambazi thotë se mund t’ia japë edhe një trajner shqiptar. Ish-futbollisti i Skënderbeut dhe Kombëtares, beson se skuadra do të gjejë forca të reagojë, por për të është e rëndësishme që ca gjëra të sheshohen mirë e të vihen në vijë.
Dhe këtu është fjala për strategjinë e së ardhmes. Këtë intervistë AlbanianSport.com do t’ju sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e parë.
– Kombëtarja humbi në Shkodër përballë Turqisë, duke i nisur keq eliminatoret e Euro-2020. Pas këtij zhgënjimi Panuçi shkarkohet. Çfarë shkoi keq, apo më saktë çfarë nuk shkoi që Panuçi nuk pati sukses me Kombëtaren Shqiptare të Futbollit?
– Ky është një moment i vështirë për ekipin kombëtar. Në ndeshjen ndaj Turqisë skuadra nuk shfaqi ato vlerat e veta që mendonim se ky grup i ka. Kjo skuadër pati probleme të vazhdueshme, në të gjitha format. Pësonte shumë gola dhe shënonte shumë pak, ose më saktë nuk shënonte. Për mendimin tim ky ekip shfaqi mangësi në të gjitha repartet, sulmi ishte mjaft i vaktë, ndërkohë që pësojmë gola me një thjeshtësi të habitshme dhe gola të rëndë. Nga ana tjetër, nën drejtimin e Panuçit nuk pamë asnjëherë një formacion të stabilizuar. Ishte një grup i luhatur, ku sot vinin dy e iknin dy të tjerë, pra ishte një grup i paqëndrueshëm dhe me kohezion të dobët. Natyrisht, nuk mund të pritet shumë nga një skuadër që ka grup të paqëndrueshëm. Mendoj, gjithashtu, që ana fizike dhe taktike la për të dëshiruar. Ekipi nuk u shfaq në maksimumin e tij dhe në këndvështrimin tim dha 70-80% të kapaciteteve të saj. Të gjitha këto ndikojnë në një paraqitje të dobët dhe jo të qëndrueshme dhe pasoja është edhe disfata e fundit ndaj Turqisë.
– Siç dihet Panuçi kishte bërë mjaft lëvizje, por grupi i tij asnjëherë nuk dha shenja të një funksionimi normal. Cili është mendimi juaj për grupin që ai kishte dhe paraqitjen e fundit?
– E përmendëm pak më lart që grupi ka pasur luhatje dhe nuk kishte stabilitetin e nevojshëm për të prodhuar lojëra të mira dhe me rezultate pozitive. Unë dua të pyes ku shkoi ai grup që kishim 3 vite më parë në “Euro 2016”? Madje ne nuk e kemi grupin e mëparshëm, sepse mungojnë disa elementë që bëjnë diferencë. Ku është Roshi? Madje grupi i tanishëm ka dobësi në të gjitha nivelet. Pëson gola me lehtësi, gjë që nuk ndodhte më parë. Rezultatet e muajve të fundit nuk shpalosin vlera, prandaj unë mendoj se Panuçi gjeti kohën e duhur për t’u larguar. Turqia ishte një rival direkt në grup të cilën nuk e mundëm dot, përkundrazi, humbëm përballë saj dhe, në objektivat sezonale, kur humbet me një skuadër që është kundërshtar direkt situata bëhet më e rëndë. Lëvizja e Panuçit ishte një zgjedhje me vend dhe skuadrës i duhet alternativë e re, ku shpresoj të bëhet më e mira.
– Në fillim të ndeshjes skuadra ishte agresive, pati disa momente për të shënuar dhe u duk se diçka kishte ndryshuar nga Liga e Kombeve. Por pësimi i golit të parë, na kujtoi se vijojmë të bëjmë gabime foshnjarake në mbrojtje…
– Golat në ndeshjen e luajtur në Shkodër ishin me lehtësi të madhe. Kur kishim Canën lider të grupit në këtë repart nuk pësonim gola të tillë. Skuadra ishte më e vendosur dhe më e përkushtuar. Tani pësojmë gola me lehtësi të pabesueshme. Ne duhet të themi realitetin dhe realiteti është se ne nuk kemi një skuadër si duhet dhe që të plotësojë shijet tona. Ky ekip është pa grintë, plus ato probleme që përmendëm më sipër. Formacioni ka qenë me probleme gjatë gjithë kohës, kishte pasiguri dhe ndonjëherë lëvizje që nuk kuptohen. Më parë ftonte Sabien Lilajn dhe e fuste në fushë, kurse tani së fundmi as e fton fare. Ca iknin e ca vinin, unë s’e kuptova këtë filozofi.
Vijon nesër…