Gjergj Vyshka 25.01.2015 18:45
Siç dihet të dielën e kaluar ndeshja Vora-Erzeni nuk u zhvillua për shkak se forcat e rendit ishin të pakta dhe munguan për ta marrë përsipër zhvillimin e këtij takimi. E ndërkohë që Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit pritet të marrë vendimin, që duhet të jetë një fitore në “tavolinë” për Erzenin, tifozët e Vorës ndjehen të zhgënjyer.
Sepse sipas tyre dhurimi apo falja e ndeshjes duhet të ketë përgjegjës. “Mungesa e forcave të rendit ishte arsyeja që ju servir tifozëve, ndërsa policia qëndronte jashtë fushe në pritje të urdhrit, – kanë akuzuar ata. – Shitja, dhurimi, apo falja duhet të ketë përgjegjës. Tifozët distancohen nga çdo lloj farse dhe kërkojnë përgjegjës për ndodhinë e turpshme të kësaj ngjarjeje.”
“Bashki, polici, lojtarë, drejtues të ekipit, apo Federatë, për në të gjithë jeni fajtorë. Turpi është i juaji. Tifozeria është e zhgënjyer. Turp!” Ky ka qenë reagimi i vorakëve, ndërsa ajo që ndodhi të dielën nuk është për herë të parë në këtë sezon futbollistik në Kategorinë e Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.