Gjergj Vyshka 02.10.2014 15:30
Me 45 minuta vonesë ka nisur ndeshja mes Vorës dhe Kukësit. Dhe kjo ka ndodhur, të paktën edhe sipas sekretarit të klubit Kukësi, Jonuz Hallaçi, sepse në fushën sportive të Vorës kanë qenë vetëm tre forca të Policisë. “Ne kemi qenë së bashku me presidentin Safet Gjici, ndërsa kemi luajtur me lojtarët tanë më të mirë vetëm e vetëm që të mos i prishnim festën Vorës, e cila ka qenë me shumicë në stadium”, – ka thënë zyrtari i klubit kukësian.
“Së bashku me delegatin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Millan Baçi, ne kemi pritur sipas rregullores, – ka shtuar Hallaçi. – E më pas, pasi kanë ardhur forca të tjera, ndeshja ka nisur normalisht.” Ndërkohë në pjesën e parë, Vora edhe duke pasur më shumë dëshirë ka arritur të kalojë në epërsi në minutën e 28-të, me anë të Bletës. Në pjesën e dytë, Kukësi, edhe me orientimet e trajnerit Artim Shaqiri, ka ndryshuar ritmin e lojës.
Menjëherë kapiteni i verilindorëve Allmuça ka barazuar. Më pas Pejiç, Lushtaku e Hysa kanë thelluar në 4-1, duke e bërë kualifikimin për më tej një çështje formaliteti. Kurse kështu duket se ka qenë edhe një provë kontrolli përpara ndeshjes së kampionatit ndaj Teutës, të cilën do ta luajë të dielën në Stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit.
Vora – Kukësi 1-4
Shënues: Bleta 28’ / Allmuça 48’, Pejiç 54’, Lushtaku 65’, Hysa 85’
Vora: Topi, Arapi, Elezi, Shkalla, Meshaj, Bleta, Dushaj, Çeka (Tove 61′), Sinani (Brahimaj 57′), Muzhaqi (Guza 67′). Trajner: E. Topi
Kukësi: Bejte, Shameti, Brahja, Peqini, Gvozdenoviç, Allmuça, Dosti, Hasani, Lushtaku, Jonuzi (Hysa 83′), Pejiç. Trajner: A. Shaqiri
Gjyqtarë: A. Stolaj, B. Mesi, R. Zaimi (Tiranë)
Karton të verdhë: Tove, Mullai / Hasani