Gjergj Vyshka 10.12.2016 16:10
Ndeshja e Studentit me Zirat Bankasi të Ankarasë, një skuadër milionere dhe me super lojtarë, duhet t’i shkundë të gjithë për nivelin e pasqyruar nga rrjeta shqiptare, ndërsa mbetemi përsëri në nivele inferiore.
Bashkëpunëtori i vyer i faqes sonë dhe gazetari me afro 20 vjet përvojë i të gjitha të përditshmeve të mëdha sportive në Shqipëri, “Sport Ekspres”, “Panorama Sport” dhe ish-“Sporti Shqiptar”, ka bërë një analizë mjaft të thellë dhe të gjerë të gjendjes në të cilën gjendet hëpërhë volejbolli shqiptar.
Këtë analizë të tij, AlbanianSport.com po jua sjell në 6 pjesë, duke nisur nga e premtja, e deri të mërkurën. Sot vjen pjesa e dytë, një vështrim mbi trashëgimin e humbur të rrjetës shqiptare.
… vijon nga dje
Deri në fund të viteve 1990-të volejbolli shqiptar ka qenë në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Luhej në Sarandë, luhej në Shijak, pa harruar që skuadra si Dinamo, Partizani, Tirana, Vllaznia, Skënderbeu, Lokomotiva (sot Teuta), Elbasani (ish-Labinoti), Dajti, Studenti ishin dinjitozë dhe prodhonin ndeshje të mira jo vetëm në kampionat, por dhe në Kupën e Republikës e mandej në arenën ndërkombëtare.
Sepse jo gjithçka mbyllej me një stërvitje njëorëshe dhe pushimi për lojtarët nuk ishte tre-katër muaj, si tano, pasi përkushtimi ishte i madh tek të gjithë. Për të mos thënë që termi periudhë përgatitore dimërore, apo verore, si dhe periudha transitore në përfundim të kampionatit njihet sot vetëm në pak skuadra që kanë financa të shëndosha.
Aq më tepër që edhe elementët zinxhir funksiononin e klubet kishin nga pas se çfarë të merrnin, ndërsa ekzistonte kampionati i të rinjve dhe paratërinjve. Nuk është më si sot, ku volejbolli i meshkujve ka mbetur me 9 skuadra, me klube që rikthehen pas një kohe të gjatë zhdukjeje, apo dhe ekipe legjendë që u ka mbetur emri dhe nuk janë më. E për rrjedhojë ajo që u trashëgua, u prish dalëngadalë-dalëngadalë.
Vijon nesër…