Gjergj Vyshka 12.12.2016 17:05
Ndeshja e Studentit me Zirat Bankasi të Ankarasë, një skuadër milionere dhe me super lojtarë, duhet t’i shkundë të gjithë për nivelin e pasqyruar nga rrjeta shqiptare, ndërsa mbetemi përsëri në nivele inferiore.
Bashkëpunëtori i vyer i faqes sonë dhe gazetari me afro 20 vjet përvojë i të gjitha të përditshmeve të mëdha sportive në Shqipëri, “Sport Ekspres”, “Panorama Sport” dhe ish-“Sporti Shqiptar”, ka bërë një analizë mjaft të thellë dhe të gjerë të gjendjes në të cilën gjendet hëpërhë volejbolli shqiptar.
Këtë analizë të tij, AlbanianSport.com po jua sjell në 6 pjesë, duke nisur nga e premtja, e deri të mërkurën. Sot vjen pjesa e 4-t, një analizë e ekipeve kombëtare, që mbase duhet të ndjekin shembullin e viteve të fundit të basketbollit.
… vijon nga dje
Sot për sot ne marrim pjesë vetëm me kombëtaret e meshkujve dhe të femrave në veprimtaritë zyrtare të Evropës dhe të botës, kurse miqësoret janë me pikatore. Por ajo që e bën volejbollin dhe gjendjen shqetësuese, e që reflektohet më pas në arenën ndërkombëtare, është mospjesëmarrja e kombëtareve së të rinjve dhe paratërinjve në Ballkan. Edhe Kosova, që sapo është formuar, guxon dhe merr pjesë në Evropë me moshat.
Deri dje është luajtur me faktin nëse do të gjejnë vetë sponsor, do të marrin pjesë. Por kjo nuk e ndihmon volejbollin. Që të jemi dinjitozë, të gjithë lojtarët kanë nevojë të ballafaqohen në arenën ndërkombëtare. Sepse brezat që kaluan në historinë e volejbollit e kanë pasur të gjithë një pjesëmarrje të garantuar në Ballkan me të rinjtë e të rriturit, apo të rejat e të rriturat. Pa thënë që shpërthimet e fundviteve 1990 ishin efekt i këtyre produkteve të përfaqësueseve, sidomos për femra.
E nëse nuk ballafaqohemi me kombëtaret, atëherë nuk kemi se si të na i shohin elementët e vlefshëm, që mund të jenë për Evropën. Sot Sava Thaka e Erblira Bici, njëra në Itali e tjetra në Poloni, ishin pasojë e menjëhershme e pjesëmarrjes në Ligën e Evropës në volejboll për femra. Basketbolli po shtrin të gjitha kombëtaret e moshave në Evropë, sepse e di që më pas do të ketë përfaqësuese dinjitoze të rritura e të rritur. Këtë duhet të bëjë volejbolli.
Vijon nesër…