Gjergj Vyshka 13.12.2016 10:25
Ndeshja e Studentit me Zirat Bankasi të Ankarasë, një skuadër milionere dhe me super lojtarë, duhet t’i shkundë të gjithë për nivelin e pasqyruar nga rrjeta shqiptare, ndërsa mbetemi përsëri në nivele inferiore.
Bashkëpunëtori i vyer i faqes sonë dhe gazetari me afro 20 vjet përvojë i të gjitha të përditshmeve të mëdha sportive në Shqipëri, “Sport Ekspres”, “Panorama Sport” dhe ish-“Sporti Shqiptar”, ka bërë një analizë mjaft të thellë dhe të gjerë të gjendjes në të cilën gjendet hëpërhë volejbolli shqiptar.
Këtë analizë të tij, AlbanianSport.com po jua sjell në 6 pjesë, duke nisur nga e premtja, e deri të mërkurën. Sot vjen pjesa e 5-të, një analizë e klubeve dhe pjesëmarrjes së tyre në Evropë, ku natyrisht financat e dobëta diktojnë cilësinë e mjerueshme.
… vijon nga dje
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se volejbolli ka qenë i rregullt në pjesëmarrjen në Evropë me klubet, në mënyrë të veçantë me Studentin për meshkuj. Por ajo që prodhohet, të paktën në 5 vitet e fundit, është efekt i nivelit në krizë të sportit të rrjetës. Përforcimet që mund të jenë bërë, një herë Suxho, një herë Rrashketa e Anton Qafarena e të mërkurën Deliu e Koçi më së shumti nuk kanë i shërbyer qëllimit.
Por janë thjesht “arnime”, sepse i tillë është niveli i skuadrës ku kanë ardhur për të luajtur dy ndeshje në Evropë. E megjithatë meshkujt guxojnë, gjë që nuk ndodh tek femrat, të cilat kanë që nga 2011-ta që nuk marrin pjesë. Një shprehje thotë “guximi ndihmon budallain”. Por, duke qenë të gjitha klube me “low cost”, atëherë s’ka se si të jetë volejbolli cilësor.
Jo vetëm kaq, por sot me përjashtim të Partizanit, Studentit, Erzenit për meshkuj, apo dhe Barletit Volej e Partizanit për femra, të gjitha janë klube buxhetore. E, në të tilla kushte kur klubet shumësportëshe në Shqipëri kujdesen më së shumti për të hequr disiplina e jo për t’i shtuar, s’ka se si të kemi volejboll cilësor. Kështu do të vijojmë gjithmonë.
Paçka se të gjithëve u vjen keq të pranojnë që të mërkurën Studenti pasqyroi nivelin e volejbollit shqiptar, ndërsa sponsorët as nuk kanë ndërmend t’i afrohen këtij sporti me këtë nivel që ne kemi. Thjesht merrni shembullin turk, investim miliona euro, lojtarët më të mirë nga e gjithë bota e trajnerë të mëdhenj dhe më pas rezultate marramendëse në arenën ndërkombëtare me klube dhe kombëtare.
Edhe kur afrojmë të huaj, të cilët vijnë më së shumti nga Mali i Zi, Maqedonia, Serbia e Bosnje-Hercegovina ose janë lojtarë në mbarim të karrierës, ose volejbollistë të dorës së dytë. Sepse kaq i kemi financat…
Rezultatet e pesë viteve të fundit në volejboll për meshkuj
2011 Teuta – Gallatasaraj 0-3 (0-3) Challenge Cup
2012 Studenti – Unirea Dej 1-3 (0-3) Challenge Cup
2014 Studenti – Fino Kaposvar 1-3 (0-3) Challenge Cup
2015 Studenti – Spartak Ljig 0-3 (0-3) Challenge Cup
2016 Studenti – Zirat Bankasi 0-3 Challenge Cup
Liga Ballkanike në volejboll për meshkuj
2013 Studenti – Fenerbahçe 0-3
2013 Studenti – Vojvodina 3-2
Kupat e Evropës në volejboll për femra
2011 Minatori – Rote Vilsbiburg 0-3 (0-3) CEV Cup
2011 Minatori – AEL Limasol 0-3 (0-3) Challenge Cup
Vijon nesër…