Shqiptarët e volejbollit tashmë janë në aktivitetin e radhës të rrjetës në plazh. Nuk bëhet fjalë më për Kampionat Ballkanik, por për Kupën Kontinentale të Federatës Evropiane, ndërsa është raundi i dytë i këtij aktiviteti. Në qershor tanët kanë qenë në Bullgari, kurse tashmë, si për meshkuj, ashtu dhe për femra, janë të përfshirë në grupin D, ndeshjet e të cilit janë duke u luajtur në Beograd në Serbi.
Për femra Shqipëria përfaqësohet me dy çifte, që janë Esmeralda Tuci-Xhudjena Kruti, kurse çifti tjetër është Erblina Bici dhe Eni Fagu. Për djem përveç dyshes shkodrane, Miculi dhe Qerraxhia, janë dhe Adri Arapi dhe Kristi Martiro. Të katër këto çifte janë të shoqëruara nga financierja e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Lola Metaj, e cila është në rolin e trajneres, paçka se nuk duket një gjë e tillë fort normale.
Përtej kësaj, ajo që duhet evidentuar është se tanët janë mundur në ditën e parë, si për femra, ashtu dhe për meshkuj. Kështu për meshkuj, çifti Arapi-Martiro është mundur 0-2 nga dyshja Raev-Hadzhiev (7-21, 7-21). Të njëjtin fat ka pasur dhe dyshja shkodrane Miculi-Qerraxhia, të cilët kanë humbur përballë bullgarëve Stankov-Ivanov 0-2 (14-21, 11-21).
Sakaq sot, për vendet 4-8, Arapi-Martiro do të jenë përballë dyshes lituaneze Rumsevicius-Kadzailis. Të njëjtën gjë do të ketë dhe Miculi-Qerraxhia, që do të jenë përballë lituanezëve Melynis-Kondrotas. Tek femrat Tuci-Kruti janë mundur 0-2 nga serbet Skariç-Frajtoviç (10-21,14-21). Po të njëjtin fat ka pasur dhe Bici e Fagu, që janë mundur po 0-2 nga serbet Matiç dhe Egiç (10-21, 18-21).
Dhe sot, për vendet 4-8, si Tuci-Kruti, ashtu dhe Bici-Fagu, do të jenë përballë çifteve estoneze Hollas-Juudit dhe Notvak-Puvi. Gjithçka përfundon sot në Beograd.