Gjergj Vyshka 07.05.2016 12:55
“Unë e kam mbyllur me Studentin. Partizani ka qenë jeta ime dhe unë dua ta kthej përsëri të lavdishme atë. Në një konferencë shtypi të shpejtë do të bëjmë të ditur detajet e këtij rikthimi të fuqishëm të volejbollit të meshkujve”, ka thënë shkurt Ylli Tomorri një “dem i kuq” i ri. Në fakt një ëndërr e tij për bërjen e Partizanit ka qenë që në fund të sezonit 2011-2012, e deklaruar dhe për shtyp.
U shty për një imazh më tepër të Studentit, por që në fund gjithçka u kthye në “bumerang” për shkak të drejtuesve që nuk dinë të vlerësojnë atë kontribut të madh që japin njerëz të tillë. E në fund “qari” është i Partizanit, që i duhet thënë “Mirë se po vjen” në kampionatin e volejbollit të meshkujve. Sepse kështu do të rikthehet duelet e kahershme dhe të munguar të rrjetës shqiptare.
Që nga derbi Partizani-Tirana e me radhë Partizani-Studenti, Partizani-Farka Volej, Partizani-Vllaznia, Partizani-Teuta, Partizani-Skënderbeu dhe Partizani-Elbasani. Sepse të gjitha sportet kanë nevojë për Partizanin, por pse jo dhe për Dinamon, si dy legjenda që nuk mund të shuhen kurrë. Dhe ky kthim i Ylli Tomorrit me skuadrën e volejbollit të meshkujve është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë…
35 vjet kontribut ka pasur Ylli Tomorri në klubin shumësportësh “Studenti”, që nga 1981 kur e ka nisur punën si trajner deri më 2016-ën, kur i ka ardhur koha për t’u larguar. Plot 16 tituj “kampion” numëron Studenti me Ylli Tomorrin, të fundit në sezonin 2015-2016. Dhe këtij muzeu i shtohen dhe 17 Kupa të Shqipërisë dhe 5 Superkupa, pa thënë Kupa Federate e trofe të tjerë…