Gjergj Vyshka 24.03.2016 20:50
Federata Shqiptare e rrjetës zbardh programin e seminarit, që nis të shtunën dhe përfundon të dielën në mjediset e Hotel “Doro City”. Ashtu sikurse është lajmëruar dhe ditë më parë, këtë fundjavë do të organizohet një seminar ndërkombëtar për gjyqtarët e volejbollit shqiptar. Për rrjedhojë kampionati ka nisur dje me ndeshjet e meshkujve për të vazhduar të premten me takimet e të rriturave në grupin A1 dhe A2, si dhe të rinjve.
E gjithçka mbyllet të hënën me ndeshjet e kampionatit të të rejave. Seminari i gjyqtarëve do të organizohet nga FSHV-ja, në bashkëpunim me Federatën e Volejbollit të Turqisë, si fryt i miqësisë mes dy institucioneve. Dhe në këtë seminar do të jenë të pranishëm nga Komisioni i Gjykimit të Federatës së Volejbollit të Turqisë, Umit Sokollu dhe Onur Hosnut.
Të premten, gjithnjë sipas programit që ka zyrtarizuar Federata Shqiptare e Volejbollit, seminari nis në ora 09:00 në mjediset e Hotel “Doro City”-t dhe do të përshëndetet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe presidenti i Komisionit të Gjykimit të Federatës së Volejbollit të Turqisë. Ditën e dytë më 27 mars në ora 09:00-13:00 do të jetë sesioni praktik.
Ai do të zhvillohet në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Dhe gjithçka do të mbyllet me një konferencë për shtyp e përbashkët në mjediset e Hotel “Doro City”, ndërsa ky seminar ndërkombëtar për gjyqtarët e volejbollit shqiptar ka marrë rëndësi të veçantë nga organizatorët.