Gjergj Vyshka 03.10.2015 21:45
Të shtunën e ardhshme, në mjediset e Hotel “Doro City”, volejbolli shqiptar do të votojë për Federatën e re. Ajo që duhet theksuar është fakti se më 5 shtator në Asamblenë e Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Volejbollit, pas problemeve të krijuara për shkak të borxheve të akumuluara ndaj Hotel “Tirana International” dhe gjyqtarëve, ka dhënë dorëheqjen kryesia dhe presidenti Adrian Doçi, i cili kishte pohuar që nuk do të kandidonte më.
Dhe kështu ka ndodhur. Pas propozimeve të klubeve, për president do të jenë në “luftë”: Erlind Pëllumbi, Kreshnik Tartari dhe Artan Pogoni. Për kryesinë e re do të votohen nga anëtarësia e volejbollit shqiptar Albens Vokopola, Dashamir Brari, Gjergji Pishtari, Ilir Cironaku, Gentiana Nicaj, Anastas Xharja, Anila Hoxha dhe Sokol Halili. Për shkak të problemeve, volejbolli shqiptar ende nuk e ka nisur sezonin, që pritet të ngrejë siparin më 24 tetor 2015. Por gjithnjë pasi të jetë zgjedhur presidenti dhe kryesia e re, që do të votohet të shtunën e ardhshme.