Gjergj Vyshka 15.01.2016 19:05
“Ne kemi bërë një turne në Turqi, atje ku fituam dy ndeshje dhe humbëm 1-3 me Beshiktashin, – ka deklaruar trajneri i Barletit Volej, Hasan Gurabardhi. – Erblina Bici lojtarja më e mirë e volejbollit të femrave sapo të mbaroi Universitetin, teksa është në vitin e tretë, do të jetë pranë Beshiktashit.”
“Një kontratë që do të sjellë fitime dhe për presidentin Dudaj, por që kanë ngelur vetëm detajet për t’u diskutuar, – ka vijuar ai. – Bicin e kanë kërkuar që më 2013-ën kur ishim me kombëtaren në Ukrainë, por ishte në shkollë. Po kështu dhe Thaka është pranë kalimit në një skuadër turke, që do t’i përkasë së ardhmes.”
Gurabardhi është ngacmuar edhe një herë për shpalljen e Qafarenës në anketën e 10 sportistëve më të mirë të vitit 2015. “Ky nuk ishte problemi i KOKSH-it, por vendimi dhe zgjedhja që kishte marrë Federata Shqiptare e Volejbollit, – ka reaguar ai. – Qafarena është lojtar i perspektivës.
“Por sivjet ka ardhur tek ekipi i parë dhe nuk ka fituar asgjë, ndërsa Vllaznia gjithnjë është renditur në vendin katër apo pesë. Kurse Bici, së bashku me Barletin Volej i ka fituar të gjitha trofetë e mundshme. Ky është problemi”, – ka përfunduar Gurabardhi, që opsionin e Kosovës e ka dhe vetë në mendje ndoshta në sezonin e ardhshëm.