AlbanianSport.com 17/04/2018 14:20
ASNN – Në fundjavë, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet dhe në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës janë luajtur ndeshjet e para gjysmëfinale të Kampionatit Kombëtar të Të Rinjve në Volejboll.
Farka Volej-Elbasani dhe Skënderbeu-Tirana kanë pasur të njëjtin përfundim, 3-0. Skuadra e Erin Sejatit e ka dominuar ndeshjen me Elbasanin, që është kampione në fuqi, ndërsa i ka fituar setet 25-10, 25-16 dhe 25-14.
E njëjta situatë duket dhe për Skënderbeun, që ka qenë bindës në setin e parë, të cilin e ka fituar 25-16. Tirana kërkon të reagojë, por Skënderbeu gjen forcën për të fituar të dytin dhe të tretin, 25-20 dhe 25-23.
Tashmë ndeshjet e kthimit do të luhen të mërkurën në Pallatin e Sportit “Tomor Sinanin” në Elbasan dhe në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, ku ekipet vendase rrezikojnë eliminimin.