Gjergj Vyshka 30.04.2016 13:15
Tirana në volejboll për të reja nuk do të jetë pjesë e “play-off”-it për titull “kampion”, edhe pse kishte dalë e parë në Grupin C, që i luajti ndeshjet në “Ramazan Njala” në Durrës. Pavarësisht se skuadra bardheblu kishte fituar 3-1 me Skënderbeun dhe 3-0 me Apoloninë dhe ishte mundur 2-3 ndaj Teutës dhe ishte e para në grup, tashmë nuk do të duhet të vazhdojë më tej.
Sepse ka aktivizuar lojtare të pafederuara. Një lajm që i ka shokuar të gjithë në kampin bardheblu, ndërsa Rudina Omari, e cila prej kohësh vazhdon të ndiqet këmba-këmbës nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit, ka mbetur e habitur. E tashmë në vend të Tiranës në volejboll të reja ka hyrë Apolonia, që do të thotë se të hënën gjysmëfinalet do të jenë Vllaznia-Apolonia dhe Himara-Teuta.
Pritet reagimi i klubit bardheblu tashmë këtij pezullimi të Tiranës, që ka ardhur për shkak të mosfederimit të lojtareve. Sepse nëse do të mbetet në fuqi një vendim i tillë, që sipas bardhebluve nuk është i mbështetur në rregullore, rrezikon që Tirana vitin e ardhshëm të mos marrë pjesë me të rejat. Dhe kjo do të ishte humbje e madhe për rrjetën shqiptare.