Gjergj Vyshka 24.09.2014 22:55
Federata Shqiptare e Volejbollit, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Leonard Tase, me shkresën e datës 23 shtator 2014, me Nr. Prot 239/14, ka lajmëruar se të enjten në ora 12:00 do të hidhet shorti i kampionatit kombëtar për të rritur dhe të rritura.
Në fakt ky short duhet të ishte hedhur që më 15 shtator. Por për shkak të protestave të disa prej klubeve për tarifat e pjesëmarrjes në kampionat, atëherë gjithçka u la për më vonë.
Megjithatë edhe pas uljes që ka bërë Komiteti Ekzekutiv, të paktën edhe sipas Tase, nga klubet nuk ka pasur asnjë lloj reagimi. Por pavarësisht kësaj, të enjten janë lajmëruar të gjitha klubet dhe shoqatat, që të sjellin anëtarët e tyre për të marrë pjesë në short të enjten në mesditë.